Rriten eksportet me 16.9 për qind në prill, kriza rikthen kërkesën për mallrat shqiptarë
Eksportet shqiptare vijuan rritjen edhe gjatë prillit 2026, të ndikuara nga nafta, energjia dhe industria automotive, ndërsa fasoni vazhdon të përballet me rënie të kërkesës dhe shtim të kostove.

Eksportet në rritje për të katërtin muaj radhazi
Eksportet shqiptare kanë vijuar tendencën pozitive edhe gjatë muajit prill, duke shënuar rritje për të katërtin muaj radhazi pas një periudhe të gjatë tkurrjeje. Sipas të dhënave të INSTAT, eksportet e mallrave arritën në 34.9 miliardë lekë gjatë prillit 2026, me një rritje prej 16.9 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kontributin më të madh pozitiv e dhanë grupet “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike”, “Materiale ndërtimi dhe metale”, si dhe “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi”. Ndërkohë, tekstilet dhe këpucët vijuan të ndikojnë negativisht në ecurinë e eksporteve. Për periudhën janar-prill 2026 eksportet arritën në 125.2 miliardë lekë, me një rritje prej 4.9 për qind në bazë vjetore.
Fasoni vijon rënien
Industria fason mbetet sektori më problematik i eksporteve shqiptare. Eksportuesit raportojnë se kërkesa për veshje, sidomos për veshje pune, ka nisur dobët këtë vit për shkak të tarifave amerikane, tkurrjes së industrisë në Gjermani dhe pasigurisë së krijuar nga konflikti në Lindjen e Mesme.
Në prill eksportet e tekstileve dhe këpucëve ranë me 6.1 për qind, ndërsa për katërmujorin shitjet e këtij grupi zbritën në 33.7 miliardë lekë, me një tkurrje prej 5.4 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Eksportuesit theksojnë se rritja e pagës minimale në 50 mijë lekë nga janari 2026 ka shtuar ndjeshëm kostot për sektorin fason, i cili mbetet edhe grupi më i madh eksportues në vend, me rreth 28 për qind të totalit të eksporteve.
Nafta dhe energjia rikthejnë rritjen
Grupi “Minerale, lëndë djegëse dhe energji” shënoi rritjen më të fortë gjatë muajit prill. Eksportet e këtij grupi arritën në 8.3 miliardë lekë, me një rritje prej 54 për qind krahasuar me një vit më parë.
Rritja është favorizuar nga eksportet e energjisë për shkak të reshjeve, por edhe nga çmimet më të larta të naftës si pasojë e krizës në Lindjen e Mesme. Për katërmujorin, eksportet e këtij grupi arritën në 29.4 miliardë lekë, me rritje 23.4 për qind.
Industria automotive në rimëkëmbje
Një nga sektorët me performancën më të mirë këtë vit mbetet industria automotive dhe grupi “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi”. Për periudhën janar-prill eksportet e këtij grupi arritën në 14.5 miliardë lekë, me një rritje prej 11.3 për qind.
Kompanitë e sektorit raportojnë rritje të porosive që prej fundit të vitit të kaluar, ndërsa vendimi i Bashkimit Europian për të lejuar automjetet hibride edhe pas vitit 2035 ka krijuar pritshmëri më pozitive për industrinë. Megjithatë, bizneset vijojnë të përballen me mungesën e fuqisë punëtore, zhvlerësimin e euros dhe rritjen e kostove nga paga minimale.
Ngushtohet deficiti tregtar
Sipas INSTAT, deficiti tregtar në prill 2026 arriti në 44.1 miliardë lekë, duke u ulur me 3.8 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Importet e mallrave arritën në 79 miliardë lekë, me rritje 4.4 për qind në bazë vjetore. Rritja e importeve u ndikua kryesisht nga mineralet, lëndët djegëse dhe ushqimet.
Në raport me partnerët tregtarë, eksportet shqiptare shënuan rritje më të fortë drejt Kosovës dhe Gjermanisë, ndërsa rënie pati në tregjet e Italisë dhe Spanjës. Shkëmbimet tregtare me vendet e Bashkimit Europian përbënin 53.8 për qind të totalit të tregtisë së jashtme në prill 2026.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)